Caritas-i Rreshen ne bashkepunim me Caritas-in Shqiptar, nëpërmjet shërbimeve të ndryshme që ofron në komunitet, ka treguar se gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë njerëzve në nevojë. Kjo ështe dëshmuar më së miri me shërbimin e ofruar ndaj personave të prekur nga sëmundje terminale. Ka tre vite që ky shërbim ofrohet edhe në Dioqezën tonë kryesisht në qytetin e Rreshenit. është e trishtë të shohësh se si numri i të prekurve me Kancer rritet dita ditës. Shërbimi i ofruar ka qenë multidisiplinar, duke ofruar krahas shërbimit infermieristik dhe asistencën shpirtërore gjë që e ka kompletuar më së miri shërbimin e ofruar në banesë për këta persona. Rrësheni është vlerësuar si zonë që ka nevojë për këtë shërbim dhe është zonë relativisht e varfër, kryesisht fshatrat përreth të cilat janë zona informale.
    Është e trishtueshme kur nëpër media flitet për rritjen e numrit të personave të prekur nga kanceri, në vitin 2014 numri i rasteve të reja me kancer është 7000 dhe vetëm 40% e tyre kanë mundësinë të përfitojnë shërbim në banesë. Pikërisht nga këto të dhëna dhe duke ditur se strukturat publike shëndetësore (SOB) mbulojnë me shërbim shumë pak në krahasim me nevojat reale që ka kjo kategori, evidentohet rëndësia e ofrimit të këtij shërbimi në banesë për këta persona. Nuk mjafton vendosja e një diagnoze, nuk mjaftojnë disa ditë qëndrimi në spital apo përshkrimi i disa medikamenteve. A mjafton vetëm kaq? Ku është përmasa shpirtërore? Po pas këtyre shërbimeve mjekësore, çfarë bëhet me këta persona? Kush i trajton për një fund jete sa më dinjitoz dhe pa dhimbje? A është e drejtë që ata të vdesin në mjerim pa patur dikë që t’u lehtësojë dhimbjen fizike dhe atë shpirtërore? Janë shumë pyetje që nganjëherë edhe për ne është e vështirë tu përgjigjemi. Por fale këtij projekti kemi kupëtuar sa e rëndësishme është që këta persona të shoqërohen drejt një pasazhi sa më të lehtë për në botën tjetër duke ua lehtësuar dhimbjet sadopak, nëpërmjet qëndrimit pranë tyre dhe duke u shtrënguar duart për t’u thënë që nuk jeni vetëm në këto momente të vështira të jetës së tyre.
    Caritas-i Shqiptar duke na mbështetur ne si Caritas Dioqezan në këtë projekt gjithmonë e ka vlerësuar si tepër të rëndësishëm këtë shërbim ndaj këtyre personave dhe ne gjithmone mundohemi tu ofrojme përkujdesje maksimale, përmasën shpirtërore dhe praninë njerëzore në momentet e fundit pa pritur diçka në këmbim prej tyre, sikurse thuhet edhe në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë “gjithçka që do të shpenzoni më tepër do t’jua shpërblej në kthimin tim”. Caritas-i Dioqezan ka qënë dhe do të jetë gjithmonë afër këtyre personave që kanë nevojë dhe kërkojnë ndihmën tonë. Është ndjesi e veqantë kur shkon ju shtrëndon dorën dhe në fund të falenderojne. Shpresojmë që ky projekt i nisur të jetë një punë e vazhdueshme me këta persona të cilët kanë nëvojë për ne.